Në SHBA, Komisioni i Senatit amerikan për Zbulimin mban të mërkurën një seancë dëgjimore për të sqaruar se në ç’masë depërtoi Rusia në sistemet zgjedhore të shteteve amerikane vitin e kaluar dhe se si mund të parandalohet kjo.

“Po përpiqemi të përqendrohemi në të gjitha aspektet – natyrën agresive të përpjekjes së Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje deri në nivelin e shteteve,” tha për Zërin e Amerikës kryetari i komisionit, senatori republikan Richard Burr i Karolinës së Veriut.

Komisioni do të dëgjojë dëshmi nga zyrtarët e sigurisë dhe kundërzbulimit në FBI dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, si dhe zyrtarë zgjedhorë nga të 50 shtetet, të cilët janë të ngarkuar me certifikimin e zgjedhjeve.

Sipas njoftimeve të fundit të medias, hetuesit federalë tani besojnë se depërtimi nga Rusia në listat zgjedhore dhe sistemet zgjedhore ka qenë shumë më i gjerë nga sa ishte menduar fillimisht. Sipas tyre, me dhjetëra shtete amerikane ishin vënë në shënjestër dhe në një mënyrë ose në një tjetër sistemet e tyre u cenuan.

“Nuk dëshiroj të komentoj mbi vërtetësinë e këtyre njoftimeve, ku thuhet se ndërhyrje nga rusët ka paSur në më shumë se 24 shtete”, tha demokrati kryesor i Komisionit, Mark Warner i Virxhinias. Ai tha se populli amerikan duhet të “kuptojë se sa të gjera kanë qenë përpjekjet ruse për të hyrë në sistemet tona të votimit”.

20 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE
Gazetarë, Kolumnist. Kontribues i rregullt në Gjurmë.