Refugjatët arabë që po i vrojtonin protestat e dhunshme anti-G20 në Hamburg nga një zonë relativisht e sigurt thanë të shtunën se protestuesit ishin të çmendur se dëmtuan qytetin e tyre tolerant që i ka pranuar ata dhe u habitën nga ajo që e panë si përmbajtje e policisë.

“Nëse të njëjtën do ta bënin në Egjipt, do të vriteshin”, ka thënë Ibrahim Ali, një 29-vjeçar nga Egjipti që ka shkuar në Gjermani më 2011. “Shteti ofron gjithçka: strehim, përfitime si pasojë e papunësisë dhe edukim. Me gjithë këtë, njerëzit janë të pakënaqur. Nuk e kuptoj”.

Ali dhe dy refugjatë tjerë nga Siria dhe Egjipti po shërbenin birrë, falafele (të ngjashëm me qebapët), humus, sallatë tabouleh dhe ushqime tjera nga Lindja e Mesme për protestuesit që kishin nisur të largoheshin nga sheshi Sternschanze në kohën kur policia speciale po i përndiqte protestuesit e dhunshëm, raporton Reuters.

“Janë të çmendur. S’po mundem t’u besoj syve”, ka thënë siriani Mohammad Halabi, 32 vjeç, i cili ka shkuar në Gjermani si refugjat 18 muaj më parë. “Kanë një vend kaq të bukur dhe po e shkatërrojnë”, transmeton Koha.net.

Halabi, i cili e flet një gjermanishte të dobët, ka thënë se e ka përcjell samitin G20 vetëm për të parë nëse liderët botërorë do të gjenin një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.

Pritjet e tij janë të ulëta, thotë ai, prandaj nuk ishte dëshpëruar kur kishte lexuar nëpër mediat sociale të premten se presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për një armëpushim në Sirinë jugperëndimore.

“Është shaka. Nuk e kanë seriozisht”, ka thënë Halabi. “Ata janë thjesht të interesuar në mbrojtjen e interesave të veta në Siri dhe në Lindjen e Mesme”.

“Nuk frikësohem”

Kur nuk shërbente falafel, Halabi vraponte drejt sheshit ku protestuesit e dhunshëm u kishin vënë flakën barrikadave, dhe fotografonte policët që po gjuanin ujë.

“Kjo s’është asgjë. Nuk frikësohem”, thotë ai, i cili ua dërgonte fotografitë familjarëve të tij në Turqi. “Të shohësh bomba teksa bien në lagjen tënde… kjo është e frikshme”.

Disa orë pasi policia mori kontrollin ndaj sheshit Sternschanze, disa protestues majtistë, banorë e punëtorë dyqanesh dolën për të inspektuar dëmin e shkaktuar.

Disa ndihmuan punëtorët komunalë që po pastronin rrugët nga pluhuri, xhamat e gurët e shumtë që ishin hedhur në drejtim të policëve.

Të gjithë thanë se ishin të zemëruar me vendimin e kancelares Angela Merkel për të mbajtur samitin në këtë qytet të varfër portual pasi që janë frikësuar se pjesëtarë militantë të grupit anarkist “Black Bloc” do të shkaktonin dhunë, transmeton Koha.net.

“Është e frikshme kjo çfarë ndodhi këtu”, thotë mësuesja Sandra Janowitz, 28 vjeçe. “Por nuk i fajësoj demonstruesit. Shumica ishin adoleshentë që nuk e dinë se çfarë bëjnë. E shumë të tjerë ishin të huaj. Ata u kthyen në shtëpitë e tyre e ne tash duhet të merremi me rrëmujën”.

Merkel të shtunën mbrojti vendimin e saj për të zhvilluar samitin në qytetin e saj të lindjes, lavdëroi operacionin policor dhe tha se banorët do të kompensohen.

Për dallim nga banorët rezidentë të Hamburgut, Halabi thotë se nuk mund të jetë i zemëruar në Merkelin.

“Pa të, unë s’do të isha këtu”, thotë ai, duke iu referuar vendimit të kancelares për të mirëpritur refugjatë. /Koha/

SHPËRNDAJE
Gazetarë, Kolumnist. Kontribues i rregullt në Gjurmë.