Po ktheheni apo po largoheni me pushime ose për një fundjavë relaksuese dhe trafiku i renduar ju shndërrohet në një sfide të vërtetë?! Zgjidhni me kujdes me orarin kur nisni udhëtimin, kjo është këshilla e parë e policisë rrugore.

Megjithatë trafiku vijon të jetë një sfidë e vërtetë edhe policinë rrugore, e cila ka kaluar në shërbim të përforcuar deri në 15 shtator.

Duke qenë se ka fluks mjetesh që udhëtojnë drejt Gjirit të Lalëzit, në orët e para të mëngjesit autostrada paraqitet e ngarkuar në destinacionin Tiranë-Durrës. Për këtë arsye për të dalë nga Tirana mund të përdoret si mundësi edhe aksi Tiranë-Ndroq-Durrës.

“Që mos të jenë të përqendruar gjithnjë në këtë sens lëvizjeje Tiranë-Durrës, përmes autostradës. Normalisht do të kemi një ngarkesë këtë muaj dhe në muajt në vazhdim sepse edhe emigrantët janë në ardhje. Do të ketë një fluks edhe në ditët normale. Aktualisht kemi vetëm në fundjavë këtë lloj ngarkese, por do të kemi edhe në ditët normale të javës”, shprehet Herman Erindi, shef i trafikut interurban.

Edhe për kthimin në orët e mbrëmjes nga Gjiri i Lalzit policia ka planifikuar të përdorë për devijim të përkohshëm të trafikut edhe aksi Hamallaj-Perlat-Sukth.

“Alternativa kryesore është pjesa e Maminasit, ku kalojnë pjesa Gjirit të Lalëzit, ajo është pjesa e shtrënguar më tepër. Si pasojë jep edhe ngarkesën e trafikut në segmentin rrugor në autostradën Tiranë-Durrës. Jemi në bashkëpunim me sektorin e qarkullimit rrugor të Drejtorisë Vendore Durrës, por ngarkesa është shumë e madhe”, shton Herman Erindi.

Policia rrugore llogarit se gjatë kësaj fundjave në autostradën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas kane qarkulluar rreth 200 mijë automjete. Ndërkohë për shkak se gjatë orëve të pasdites ngarkohen me fluks aksi Vlorë-Fier, janë vendosur shërbime shtesë të policisë rrugore, sikurse edhe në aksin Tale-Lezhë.

Ndërkohë po zbatohet për të tretin vit radhazi udhëzimi i ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Transporteve për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë ditës për afatin nga 15 qershori deri më 15 shtator.

9 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE
Gazetarë, Kolumnist. Kontribues i rregullt në Gjurmë.