Të dielën mbushen plotë 20 vite nga ngjarjet e përgjakshme të Gostivarit. Tradicionalisht, në këtë ditë përkujtimi bëhen homazhe tek varrer e dëshmorëve. Nesër, duke filluar nga ora 11:00 një delegacion i Komunës së Gostivarit i udhëhequr nga kryetari Nevzat Bejta do të bëjnë homazhe tek vendorehja e dëshmorit Nazmi Saliu në Turçan të Vogël për të vijuar pastaj në fshatin Forinë në ora 11:30 tek vendprehja e dëshmorit Nazmi Saliu, njofton Flaka.

Ishte 9 Korriku i vitit 1997 kur Gostivari u vu në qendër të vëmendjes së opinionit vendas dhe ndërkombëtar si asnjëherë më parë. Qytetarët shqiptarë të Gostivarit dhe Maqedonisë, pas plotë 19 viteve përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, datë kjo sublime në mbrojtje të flamurit kombëtarë. Pikërisht sot, para 20 vitesh shumë qytetarë shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara Kuvendit Komunal për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar që ishte hequr dhunshëm brenda orëve të natës, njofton Agjencia e Lajmeve Flaka

Kjo sfidë e shqiptarëve u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare. Në gjithë këtë situatë, shkas i dhunës së shfrenuar policore dhe ushtarake ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë, si dhe nëpër komunat e tjera me shumicë shqiptare. Me një procedurë legale juridike të Këshillit Komunal, më 27 Janar të vitit 1997 u ngrit Flamurin Kombëtar Shqiptar, para selisë së Komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë.

U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar. Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor.

Ky vendim i kuvendit republikan, pa respektuar afat e fuqizimit u materializua pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase.

Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, kryetarin aktual Nevzat Bejta, kryesuesin e atëhershëm të Këshillit Komunal Refik Dauti , Këshilltari Xhevat Bejta si dhe shumë personalitete të tjera. Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, u plagosën mbi 100 të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej nëpër rrugë. Dëshmorët e 9 korrikut për të cilët u ngritën edhe buste në vendbanimet e tyre, janë Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dauti. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate. Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, jetë ndërruan edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë.

Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për të arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator, 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë, kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku i shqyrtuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. Në këtë gjykim u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Pas miratimit të Ligjit për amnisti në vitin 1999 lirohet nga burgu duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet e Maqedonisë.

Në Tetovë, ashtu si në Gostivar, përveç mënjanimit të flamurit kombëtarë prej përpara godinës komunale, ky akt u shoqërua me shkatërrimin nga ana e forcave policore të lokaleve të komunës dhe të pajisjeve që gjendeshin aty. Udhëheqja e atëhershme e komunës së Gostivarit dhe Tetovës, udhëhiqte përpjekjet institucionale për realizimin e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar në një ballafaqim të pabarabartë gjashtë mujor me pushtetin qendrorë. Tash pas 19 viteve, përpara godinës komunale të Gostivarit valëvitet flamuri shqiptar. Tani e 19 vite, në qytetin e Gostivarit është bërë traditë që në organizim të Komunës të organizohen homazhe në varret e tre dëshmorëve. Të shtunën, një delegacion i Komunës së Gostivarit do të bëje homazhe në vendprehjen e dëshmorit Nazmi Saliu në fshatin Turçan të vogël, dhe më pas në fshatin Forinë tek varri i dëshmorit, Shpend Iseini

SHPËRNDAJE

Gazetarë, Kolumnist. Kontribues i rregullt në Gjurmë.