Vladimir Putin ka firmosur dekretin presidencial për zgjatjen e sanksioneve, ndaj vendeve që kundërshtuan Rusinë dhe vendosën sanksione ndaj saj, pas ngjarjeve në Ukrainë dhe aneksimit të paligjshëm të Krimesë.

Në dekretin që mban datën 30 qershor, Putin vendos zgjatjen e bllokimit deri më 31 dhjetor 2018, për Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian, Kanadanë, Australinë, Norvegjinë, Ukrainën, Shqipërinë, Malin e Zi, Islandën dhe Lihtenshtajnin, të cilave nuk u lejohet të çojnë në Rusi asnjë produkt bujqësor apo lëndë të para për industrinë.

 

Dekreti i Putinit është miratuar në datën 4 korrik nga kryeministri Medvedev, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë zgjatjes së sanksioneve ruse kundrejt Shqipërisë, sanksione këto që prekin kryesisht eksportin e produkteve bujqësore.
Kjo është hera e dytë, që kreu i Kremlinit vendos zgjatjen e dekretit të tij të parë të vitit 2014, i cili ishte një kundërpërgjigje e menjëhershme për vendet, të cilat u bashkuan kundër Rusisë dhe kundërshtuan aneksimin e Krimesë.

Ky vendim i Vladimir Putinit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parashikuar të tjera sanksione ndaj Rusisë, të cilat prekin kryesisht kompanitë që kontribuojnë me furnizime me pjesë këmbimi, shërbime ose teknologji “drejtpërdrejt” për ndërtimin ose mirëmbajtjen e gazsjellësve rusë.

SHPËRNDAJE
Gazetarë, Kolumnist. Kontribues i rregullt në Gjurmë.